RADIOHEAD: ALBUMET ESENCIALE

Radiohead është një nga grupet muzikorë më të njohur dhe më ndikues të rock-ut ndërkombëtar, veçanërisht të rock-ut alternativ (Alt-Rock), dhe janë bërë përfaqësues kryesor i tij gjatë nismës së shekullit dhe deri më sot. U bashkuan për herë të parë më 1985 gjatë viteve të tyre të gjimnazit, por nuk do të kishin pasur njohje ndërkombëtare deri në vitin 1992 kur botuan single-in e parë të tyre “Creep”.  Albumet që sot mbahen për kryevepra të grupit e përcollën albumin e parë të tyre, Pablo Honey (1993), i cili nuk shquhet ndër albumet e kohës së vet, duke filluar nga The Bends (1995), pastaj OK Computer (1997) dhe Kid A (2000), të ndjekura nga 5 albume të mrekullueshme nga të cilat ne do të përzgjedhim In Rainbows (2007) si ai që më së mirë pasqyron vlerat e muzikës cilësore.

THE BENDS RADIOHEAD

Datëbotimi: 13 Mars, 1995; Zhanra: Alt-Rock, Post-Britpop; Kohëzgjatja: 48 min 33 sek; Singles-at (këngët e botuara në vete): “My Iron Lung”,  “High and Dry”/”Planet Telex”, “Fake Plastic Trees”, “Just”, “Street Spirit (Fade Out)”, “The Bends”; Vlerësimi ynë: 5/5

The Bends ishte albumi me të cilin Radiohead u kallëzua për herë të parë si një grup që nuk i druante bindjet dhe shpresat e publikut gjatë procesit të krijimtarisë së tyre; tipar i cili ia përforcoi denjësinë të prodhojnë një album të përsosur si ky. 

Emri i grupit qe paksa i fëlliqur pas publikimit të albumit të parë (ndoshta nga përsëritja e stërlodhur e këngës “Creep” nëpër radiot e anglezëve), por me ardhjen e The Bends, gjithë kjo ndryshoi. Anëtarët e grupit lanë pas çfarëdo lidhje që kishin me lëvizjen grunge, dhe duke i mbajtur (por jo të kufizuara nga) influencat e grupeve tjera si Nirvana, Pixies dhe The Smiths, mbërritën fuqishëm në skenën muzikore të Britanisë. Instrumentet nuk ndryshuan shumë, por mënyrat e reja sesi i binin me eksperimentalitet dhe konfidencë bindëse i hapën dyert e mundësive artistike. 

Këngët dallojnë për nga temat që trajtojnë dhe instrumentet që hyjnë e dalin; në disa pjesë e kemi vetëm këngëtarin (Yorke) dhe kitarën e tij, kurse pak çaste më vonë mund ta kemi tërë kuintetin me ndihmën e një orkestre ose zhurmave elektronike. Kjo llojllojshmëri e veçantë jo vetëm që e ka zgjeruar horizontin e zhanrës rock dhe e ka ngurtësuar piedestalin e vet në kanonin e po atij zhanrit, por edhe shërben si albumi syçelës për njerëzit që kanë mbetur pa e dëgjuar këtë grup. Domethënë, nëse po kërkoni një hyrje në botën e Radiohead, tashmë e dini cilin album ta dëgjoni së pari.

Youtube Music / Spotify / Apple Music / Amazon

Nëse ju pëlqeu ky album, ju preferojmë: albumet e mëposhtme, Nirvana – Nevermind, Jeff Buckley – Grace, The Smiths – Hatful of Hollow

OK COMPUTER RADIOHEAD

Datëbotimi: 16 Qershor, 1997; Zhanra: Alt-Rock, Post-Britpop; Kohëzgjatja: 53 min 21 sek; Singles-at (këngët e botuara në vete): “Paranoid Android”, “Karma Police”, “Lucky”, “No Surprises”; Vlerësimi ynë: 5+/5

Pas The Bends, Radiohead do të kishte mundur të hiqte dorë nga muzika dhe ende do të kishin mbetur figura legjendare në historinë e rock-ut. Por ata nuk e përmbyllën me aq…

OK Computer konsiderohet nga shumë kritikë dhe entuziastë të muzikës si albumi më i mirë i të gjitha kohërave, ose në të paktën albumi më i mirë rock. Në këtë album, Radiohead dyfishon ndikimin e muzikës elektonike në veprën e tyre, duke përdorur zhurma dhe efekte të llojllojshme mbi të gjitha instrumentet për të krijuar një atmosferë mallëngjimi dhe mospërfilljeje ndaj botës industriale. Ky album shpesh konsiderohet si gjedhe e albumit rock të përsosur, sepse nuk ka asnjë sekondë ku dëgjuesi lihet në mërzi; çdo tingull e kryen detyrën e saj për të ngjallur ndjenja të varrosura thellë brenda nesh.

Kënga e dytë e albumit “Paranoid Android” mund të krahasohet me “Bohemian Rhapsody” e Queen-it në mënyrën sesi gjatë kohëzgjatjes bën lëkundje valore në shprehshmëri, herë në dhembshuri të shoqëruar me peizazhe shiu në tekst dhe herë me mllef dhe mendjemadhësi cinike. Në këtë album kemi shumë momente të tilla ku kryevokalisti dhe instrumentalistët prapavijorë bubullojnë me flakë emocionale, por edhe gjatë këtyre momenteve ende ndihet atmosfera acare që kanë mbartur anëtarët gjatë producimit.

Pa dyshim është një album (apo albumi, në përgjithësi) që vlen të dëgjohet së paku një herë në jetë.

Youtube Music / Spotify / Apple Music / Amazon

Nëse ju pëlqeu ky album, ju preferojmë: The Strokes – Is This It?, Pixies – Surfer Rosa, The Flaming Lips – The Soft Bulletin, R.E.M. – Out of TIme

KID A RADIOHEAD

Datëbotimi: 3 Tetor, 2000; Zhanra: Art-Rock, Elektronike; Kohëzgjatja: 49 min 56 sek; Singles-at (këngët e botuara në vete): / ;Vlerësimi ynë: 5+/5

Gjatë 24 vitëve prej kur ky album ishte botuar e deri më sot ai ka shkaktuar polemikë dhe përçarje jo vetëm te dëgjuesit dhe përcjellësit e Radiohead, por edhe në rrathët më të gjëra muzikore. Përderisa Radiohead në albumin e kaluar vetëm kishte futur shputën në oqeanin e elektronikës, këtu zhytet mu në fund të tij, ku nuk mbërrin asnjë rreze drite nga jashtë.

Yorke, këngëtari i grupit, u gjend në një fazë depresioni të thellë gjatë dhe pas turneut dhe famës së OK Computer. Shumë grupe tjera filluan të shkojnë pas modelit të rock-ut që kishin lënë Radiohead në gjurmët e tyre. Thjesht e shqip, Yorke-ut iu gërdit po ai standard që kishte vendosur në botën muzikore me veprën e mëparshme. Ai filloi të dëgjojë vetëm muzikë elektronike dhe rrjedhimisht muzika dhe artistët elektronikë i lanë mbresa dhe përshtypje që do të kullonin tek albumi i ri. Gjatë procesit të producimit, ai largoi çfarëdo ideje që kishte të bëjë me melodinë, kurse mirëpriti ritmin me ndihmën e daulleve elektronike. E ndau grupin në dy dhoma, ku njëra do të merrej vetëm me muzikë akustike (kitara, daulle, etj.) dhe tjetra vetëm me sintetizues dhe ritëm-makina.

Rezultati i këtij procesi veçse na e vërteton gjenialitetin e grupit; vetëm duke e dëgjuar ne mund të kuptojmë se Radiohead mund të mjeshtrojnë zhanre të tëra për të mishëruar idetë dhe gjendjet e tyre emocionale me përpikëri të mprehtë, shpesh duke i kaluar ata që i frymëzuan në atë drejtim muzikor. Arsyeja për përçarjen e fansave të grupit qendron këtu: shumica e tyre pritnin vazhdim të OK Computer, domethënë një album pa devijim të tepërt nga rock-u konvecional, dhe pas befasisë iniciale kur u botua, dëgjuesit u ndanë në tre grupe, ata që e donin albumin, ata që u mësuan ta donin dhe ata që e urrenin.

Për sa i përket muzikës, mund të thuhet se Radiohead kanë qenë në periudhën më eksperimentale të karierës së tyre. Nga ato këngë që e kanë bazë kitarën (“How to Disappear Completely”, “Optimistic”) e deri tek ato që janë të përbëra plotësisht nga zhurma elektronike (“Everything In Its Right Place”, “Kid A”, “Idioteque”), mund të ndihet edhe te ky album ajo atmosferë acare, por siç na kallëzojnë edhe kopertinat e albumeve, ky album është i kapluar në terr dhe thellësi.

Qofshi dëgjuesë të elektronikës apo jo, ky album vlen të dëgjohet si kryevepër elektronike e shekullit tonë.

Youtube Music / Spotify / Apple Music / Amazon

Nëse ju pëlqeu ky album, ju preferojmë: Radiohead – Amnesiac, Björk – Homogenic, Aphex Twin – Richard D. James Album, Autechre – Amber

IN RAINBOWS RADIOHEAD

Datëbotimi: 10 Tetor, 2007; Zhanra: Art-Rock, Alt-Rock; Kohëzgjatja: 42 min 39 sek; Singles-at (këngët e botuara në vete): “Jigsaw Falling Into Place”, “Nude” ;Vlerësimi ynë: 5/5

In Rainbows shënon një tjetër zhvillim të rëndësishëm në tingullin dhe qasjen e Radiohead ndaj muzikës. Ky album, i botuar në vitin 2007, demonstroi aftësinë e grupit për të përzier prirjet e tyre eksperimentale me melodi dhe struktura më komerciale, duke na dhënë një vepër që tërheq si për fansat e devotshëm ashtu edhe për të sapoardhurit. Një nga aspektet më të çuditshme të In Rainbows është mënyra jokonvencionale e botimit: Radiohead i lejoi fansat të shkarkojnë albumin nga faqja e tyre e internetit duke paguar çfarëdo çmimi për të, një gjest që sfidoi drejtimin e industrisë moderne muzikore.

Vetë muzika qëndron si një testament i krijimtarisë dhe inovacionit të qëndrueshëm të Radiohead. Nga kënga çelëse “15 Step”, me ritmet e saj pulsuese dhe teksturat e ndërlikuara elektronike, deri te bukuria mahnitëse e “Nude” dhe himni “Jigsaw Falling Into Place”, secila këngë e albumit In Rainbows tregon vëmendjen e përpiktë të grupit ndaj detajeve dhe angazhimit për të shtyrë kufijtë e zërit të tyre. Përdorimi mjeshtëror i efekteve të kitarës dhe aranzhimeve orkestrale nga Jonny Greenwood i shton muzikës shtresa thellësie dhe kompleksiteti, ndërsa vokalisti i veçantë Thom Yorke përcjell një sërë emocionesh me zë tani më të pjekur.

In Rainbows përpunon tema të dashurisë, humbjes dhe pasigurisë ekzistenciale, me tekste që janë njëkohësisht poetike dhe thellësisht introspektive. Këngët si “All I Need” dhe “Videotape” gërmojnë në kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore, ndërsa këngët si “Weird Fishes/Arpeggi” dhe “Reckoner” ofrojnë momente bukurie të jashtëzakonshme mes kaosit të jetës moderne. In Rainbows nuk është vetëm një dëshmi e rëndësisë së vazhdueshme të Radiohead në botën e muzikës, por gjithashtu një shembull i ndritshëm i fuqisë së integritetit artistik dhe lirisë krijuese. Me këtë album, Radiohead dëshmoi edhe një herë se ata janë të aftë të rishpikin veten duke i qëndruar besnikë identitetit të tyre thelbësor, duke forcuar statusin e tyre si një nga grupet më inovative dhe me ndikim të gjeneratës së tyre.

Youtube Music / Spotify / Apple Music / Amazon

Nëse ju pëlqeu ky album, ju preferojmë: Radiohead – A Moon Shaped Pool, Sigur Rós – Ágætis Byrjun, Arcade Fire – Funeral, Beck -Sea Change

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shkrimet e fundit

Episodet e fundit