Më 20 gusht 2025, Shkupi u kthye në kryeqendrën e muzikës shqiptare, falë një koncerti spektakolar nga Yll Limani. Me një skenë të madhe, ndriçim të jashtëzakonshëm dhe tinguj që elektrizuan publikun, ky event u cilësua si “ngjarja e verës” për fansat e muzikës moderne.

Një natë për t’u mbajtur mend
Koncerti u zhvillua në Stadionin ARM në Shkup dhe filloi në orën 21:00. Para se Ylli të merrte skenën, atmosferën e ngrohu Florent Abrashi, i cili solli energji dhe këngë që përgatitën publikun për spektaklin që do të vinte.

Kur Limani u ngjit në skenë, entuziazmi shpërtheu. Me një bend prej 10 muzikantësh, performanca zgjati rreth 90 minuta, duke sjellë hite të njohura dhe këngë të reja që u kënduan njëzëri nga mijëra admirues.

Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes erdhi kur Yll Limani ndaloi për një moment nga performanca – dhe nga skena foli me sinqeritet dhe emocion për familjen që e priti atë dhe të tijën kur ishin refugjatë në Shkup gjatë vitit 1999. Ai kujtoi se ishin pikërisht familjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut që i pritën si fëmijët e tyre, u dhanë shpresë kur ishte në vend pa lumturi, dhe ndriçuan ato netë të errëta me dashuri dhe mikpritje.
“Në vitin 1999, kur na u desh me ik prej shtëpive tona, ishit ju, familjet shqiptare në Maqedoni që na mbajtët gjallë… ato netë të errëta na i kthyet në dritë … sot, 26 vite më vonë, nuk kemi ardhur vetëm të këndojmë – kemi ardhur edhe të ju falënderojmë. Me iu kujtu që dashuria, mikpritja, sakrifica juaj janë arsyeja pse jemi këtu… Faleminderit nga zemra, ju duam.”
Ky moment shtoi një dimension emocional në një koncert që tashmë kishte atmosferë elektrizuese — dhe publikun e preku thellë.

Produksion i nivelit më të lartë
Organizuar nga Avalon International Booking në bashkëpunim me Three60 Music, koncerti kishte një produksion të kompletuar: skenë moderne, ndriçim mahnitës dhe zë perfekt. Ky event nuk ishte thjesht një koncert, por një shfaqje e plotë vizuale dhe muzikore që tregoi se si duhet të duket një performancë e madhe.

Çmimet dhe biletat
Biletat u hodhën në shitje më 23 korrik 2025 dhe interesimi ishte i jashtëzakonshëm. Publiku kishte dy opsione:
- Parter – 1 500 MKD (rreth 24.5 €)
- Fan Pit – 2 500 MKD (rreth 40 €), me numër të kufizuar bileta
Fansat nuk humbën rastin, dhe stadiumi u mbush plot, duke e kthyer këtë natë në një nga momentet më të paharrueshme të verës.
Energjia e publikut
Çfarë e bëri këtë koncert kaq special? Jo vetëm performanca e Yll Limanit, por edhe energjia e jashtëzakonshme e fansave. Të gjithë këndonin, vallëzonin dhe ndanin emocionin e një nate që do të mbetet gjatë në kujtesë.

Ky koncert tregoi edhe një herë pse Yll Limani është një nga artistët më të dashur në trojet shqiptare dhe pse çdo paraqitje e tij është një garanci për spektakël.