Alegoria e Shpellës: Platoni dhe udhëtimi nga errësira në dritë

Filozofia nuk merret vetëm me pyetje abstrakte; ajo prek thelbin e jetës njerëzore, duke na sfiduar të kuptojmë veten dhe botën përreth. Një nga tregimet më të famshme që pasqyron këtë është Alegoria e Shpellës nga Platoni, e përfshirë në veprën e tij madhore Republika. Ky rrëfim i thjeshtë në dukje, mbart një kuptim të thellë mbi dijen, injorancën dhe rolin e arsimit.

Njerëzit në errësirë

Platoni na fton të imagjinojmë disa njerëz që jetojnë të lidhur në një shpellë të errët, që nga fëmijëria. Ata nuk mund të lëvizin as kokën, dhe para tyre shohin vetëm hije që projektohen në mur nga një zjarr pas tyre. Për ta, këto hije janë e vetmja realitet, sepse nuk kanë përjetuar kurrë asgjë tjetër. Ata dëgjojnë vetëm jehonat e zërave, pa e parë kurrë burimin e tyre. Në këtë gjendje të mjerueshme kalojnë gjithë jetën.

Platoni e përshkruan këtë gjendje si më të rëndë se burgu apo skllavëria. Ai përmend Odisenë e Homerit, duke cituar se “më mirë të jesh shërbëtori i përulur i një zotërie të varfër, sesa të jetosh si ata.” Homeri këtu i referohet të vdekurve në Hades, dhe Platoni e përdor këtë për të treguar se injoranca e plotë është e ngjashme me vdekjen: një ekzistencë pa kuptim, pa bukuri dhe pa shpresë.

Rruga drejt dritës

Por çfarë ndodh nëse njëri prej këtyre të burgosurve çlirohet? Në fillim ai do të ndjejë dhimbje dhe hutim, sepse sytë e tij janë mësuar vetëm me errësirën. Dalëngadalë ai fillon të kuptojë zjarrin, pastaj objektet, dhe në fund, me shumë vështirësi, del jashtë shpellës dhe sheh dritën e diellit. Ky proces është i dhimbshëm, madje i frikshëm. Platoni na thotë se nëse dikush do ta tërhiqte me forcë drejt dritës, ai do të ndihej i ofenduar dhe do të dëshironte të kthehej në errësirën që njeh. Por me kohë, kur mësohet me realitetin e ri, ai kupton tmerrin e gjendjes së mëparshme dhe nuk dëshiron të kthehet më.

Arsimi dhe dija nuk janë gjithmonë të lehta; ato shpesh na detyrojnë të braktisim bindjet e vjetra dhe të përballemi me të panjohurën. Por një herë që arrijmë të shohim “dritën”, realitetin e vërtetë, ne fitojmë një liri që nuk ka kthim pas.

Kuptimi filozofik

Alegoria e Shpellës është më shumë se një tregim. Ajo përfaqëson mënyrën si Platoni e kuptonte raportin mes dijes dhe injorancës:

  • Shpella është bota e iluzioneve dhe e perceptimeve të kufizuara.
  • Hijet janë vetëm pamje sipërfaqësore të realitetit.
  • Drita e diellit është e vërteta dhe njohja më e lartë, që lidhet me idenë e të mirës.
  • I burgosuri i liruar është filozofi, ai që guxon të dalë përtej dukjes.

Platoni thekson se injoranca nuk është thjesht mungesë faktesh, por një gjendje e rrezikshme ku njerëzit nuk e dinë që nuk dinë. Për ta, hijet janë “e vërteta”, sepse nuk kanë mundësi të shohin më tej. Por ne, si lexues, kemi përparësinë e dijes: e dimë çfarë fshihet pas dhe kuptojmë sa e tmerrshme është kjo gjendje.

Aktualiteti sot

Edhe sot, pas më shumë se 2.000 vjetësh, alegoria e Platonit mbetet e vlefshme. Në një botë ku jemi të rrethuar nga informacione të pafundme, shpesh nuk e dallojmë realitetin nga hijet. Lajmet e rreme, manipulimet dhe iluzionet e krijuara nga teknologjia mund të jenë shpellat tona moderne. Shumë prej nesh jetojnë rehat në këto “hije”, pa e kuptuar se ka një botë më të madhe për t’u zbuluar.

Platoni e thotë hapur dhe prerë: “Ata janë si ne.” Nuk është një metaforë e largët, por një pasqyrë e gjendjes njerëzore. Ne, ashtu si të burgosurit, shpesh e ngatërrojmë dukjen me realitetin dhe e pranojmë të njohurën si të vetmen të vërtetë. Udhëtimi drejt dijes kërkon guxim dhe gatishmëri për të dalë nga shpella jonë personale. Vetëm përmes këtij udhëtimi mund të arrijmë të kuptojmë realitetin dhe të gjejmë lirinë e vërtetë.

ës