“Joy Division” ishte një grup i formuar në Angli në vitin 1976, me zhanrin “Post-Punk” rock. Grupi përbëhej nga vokalisti dhe kitaristi Ian Curtis, kitaristi dhe sintist Bernard Sumner, basisti Peter Hook dhe bateristi Stephen Morris.
Bernard Sumner u takua me Peter Hook pas një koncerti të Sex Pistols dhe më pas formuan bendin duke u ndikuar nga muzika e hershme punk-rock. Më vonë, në grup u bashkua edhe Terry Mason, i cili gjithashtu ishte në koncertin e Sex Pistols. Pasi shoku i tyre nga shkolla, Martin Gresty, refuzoi ftesën e tyre për t’u bërë vokalist, bendi vendosi disa reklama për një vokalist. Ian Curtis, i cili e njihte bendin nga koncertet e mëparshme, u përgjigj dhe u pranua pa audicion.
Anëtarët e bendit fillimisht kishin idenë që ta emërtonin grupin e tyre “Stiff Kittens”, por më pas u vendos që të quheshin “Warsaw” si referencë për këngën e David Bowie, “Warszawa”. Në vitin 1978, bendi riemërtohet si “Joy Division”, duke marrë emrin nga një kamp nazist i përqendrimit i përmendur në vitin 1955, në novelën “House of Dolls”.
Së shpejti, ata zhvilluan një zë dhe stil muzikor që e dallonte Joy Division nga grupet e tjera pioniere të Post-Punk.
Ian Curtis
Një nga rockstarët më të dalluar në rock ‘n’ roll, Ian Curtis, ishte një kompozitor, këngëtar dhe muzikant anglez, i njohur më së miri si vokalisti kryesor i Joy Division. Ai mori pjesë në bend si shkrimtar i teksteve të këngëve, kitarist dhe vokalist kryesor, me një zë të errët baritoni.
U vu në dukje se Ian Curtis kishte një sjellje të veçantë gjatë performancës në skenë, duke pasur një stil unik kërcimi për shkak të ndikimit të sëmundjes së tij të epilepsisë. Ian Curtis gjithashtu ishte i njohur si “një nga shkrimtarët më të mirë të këngëve të brezit të tij”.
Më 23 gusht të vitit 1975, Curtis u martua me Deborah Woodruff. Fillimisht, Curtis dhe Woodruff ishin shokë. Kur të dy ishin 16 vjeç, ata filluan të kalonin kohë së bashku. Së pari, dy të dashuruarit e rinj jetuan me gjyshërit e Ian Curtis. Në moshën 19 vjeçare, Ian Curtis u bë baba për herë të parë, duke pasur një vajzë me emrin “Natalie”.
Curtis kishte probleme me sëmundjen e epilepsisë dhe depresionin, dhe ai kreu vetëvrasje gjatë periudhës kulmore të Joy Division. Pak kohë pas vdekjes së tij, tre anëtarët e grupit riemërtuan bendin “New Order”.
Leave a Reply