Fajësimi dhe Zgjidhja: E Vërteta e Dështimit të Shoqërisë në RMV

Me pikëllim të thellë në zemër, po shkruaj për ngjarjen e fundit që ndodhi në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nga ky rast u pa qartazi se ku jemi si shtet dhe si shoqëri, ku drejtësia dhe ndërgjegjja ndaj njerëzve është e papërfillshme, madje mund të thuhet se është 0. Vetë shteti, për fat të keq, na “detyron” të jemi të korruptuar dhe të përfshihemi në korrupsion. Rasti i fundit, edhe pse nuk kishte të bënte drejtpërdrejtë me korrupsionin, kishte shumë lidhje me këtë problem, sepse një person nuk u ndëshkua për veprimet e tij, vetëm pse ishte djali i një oficeri, dhe kjo është një shembull i dukur i padrejtësisë dhe korrupsionit që ka shpërthyer në shoqërinë tonë.

  • Ky rast mund të konsiderohet si një “fatkeqësi”, por të gjithë ne e dimë se sa shumë janë normalizuar këto dukuri në shoqërinë tonë. Padyshim, ka shumë raste të tjera ku gjithçka është injoruar dhe asgjë nuk është bërë për t’i adresuar këto probleme. Pse duhet të reagojmë si shoqëri vetëm kur këto dukuri kalojnë në një fatkeqësi të rëndë? Rasti i Fronines nuk është as i pari dhe as i fundit. Fatkeqësisht, jemi të grumbulluar në një sistem të kalbur dhe shoqëria jonë, shpeshherë, e ka të lehtë të pranojë këto gjëra. “Përfundoi kjo punë se është djali i filanit,” “Bëje këtë se ka para,” “Fute pa problem, se është djali i ministrit,” etj.
  • Demokracia e vërteton se të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe para shtetit, por sa është ajo e vlefshme në shoqërinë tonë? Sa jemi të vetëdijshëm për atë që po bëjmë si shoqëri? Pse heshtim dhe çfarë na mban të lidhur, duke mos reaguar ndaj këtij lloj sistemi që na shtyp? Koha ka ardhur për t’u vetëdijesuar dhe për të marrë përgjegjësinë mbi veten tonë. Ne jemi fajtorët, por gjithashtu jemi edhe ata që mund të reagojmë dhe të bëjmë ndryshimin. Është koha që të mblidhemi njëherë e përgjithmonë dhe të fillojmë të ecim drejt të mirës dhe nga rruga e drejtë, sepse përndryshe, nëse vazhdojmë kështu, duke mos punuar për ta çuar shoqërinë në një vend më të mirë, automatikisht po lejojmë që
    ky vend të shkojë nga keq në më keq. Mjaft më me fajësimin e politikës dhe politikanëve, sepse problemi është tek ne. Ne jemi ata që po e shkatërrojmë këtë vend, ne jemi ata që e kemi për detyrë ta mbrojmë dhe ta përmirësojmë në atë që e ëndërrojmë. Ëndrra jonë nuk është diçka e parealizueshme, por është diçka që kërkon shumë punë, mund dhe shumë përpjekje të tjera. Mirëpo, ajo është diçka që nuk mund të mos e realizojmë, sepse ia kemi borxh atdheut tonë dhe rinisë së këtij vendi.


Me pikëllim të thellë, them se si pjesë e kësaj shoqërie, ne jemi duke dështuar. Jemi duke hapur vetë varrin në të cilin po e fusim vendin tonë dhe më e keqja është
që nuk jemi të vetëdijshëm për këtë.

Padyshim, gjithmonë fajësojmë dikë tjetër,por në shoqërinë tonë ende ka njerëz që fajësojnë Europën dhe Amerikën për problemet që ndodhin në nivel rajonal dhe lokal. Jo, zotëri, ne jemi fajtoret. Askush nuk ka faj që ti hedhim mbeturinat në mes tërrugës, askush nuk ka faj që fëmijët e lagjes tonë janë të pasjellshëm, askush nuk ka faj që ne vozisim me makina dyfish mbi shpejtësinë e lejuar, askush nuk ka faj që fëmijët nën moshën 18 vjeçare kanë akses të lehtë në armët e ftohta, askush nuk ka faj që sistemi arsimor dhe shëndetësor në RMV është në gjendje katastrofale. Ne, si shoqëri, jemi ata që e lejojmë këtë situatë dhe i mbyllim sytë ndaj problemeve që po na shkatërrojnë

Eshte koha që t’i tregojmë botës, por më së shumti vetvetes, se me çfarë problemesh përballet një banor i qytetit të Shkupit. Eshte koha që të reagojmë, të veprojmë dhe të ndryshojmë. Nuk po kërkoj diçka shumë nga ju, thjesht merreni këtë artikull si një këshillë e piknisje nga një i ri nga zemra e Shkupit, Cairi. Eshte koha që ta ndalim këtë mizerje. Problemi jemi ne dhe poashtu, zgjidhja jemi ne.
P.s. Arsyetimi është ves i dështakëve.
Abbad Ramadani-Shkup

ës