Në kohët e sotme, duket se gjithnjë e më shumë të rinj përqafojnë vuajtjen jo vetëm si një përvojë kalimtare, por si një pjesë të identitetit të tyre. Fillimisht, kjo ndjesi më është shfaqur nëpërmjet dhimbjes fizike, ku plagët dhe lodhja përshkruheshin si dëshmi force apo pjekurie. Por me kalimin e kohës, po vërej se vuajtja emocionale po merr gjithnjë e më shumë hapësirë në përditshmërinë tonë – shpeshherë e përqafuar me vetëdije, sikur të ishte e vetmja mënyrë për të ndier diçka të vërtetë.

Pse ndodh kjo? Nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Ndoshta sepse jemi rritur me idenë se pas çdo dhimbjeje vjen diçka e mirë – një lloj shpërblimi për durimin tonë. Ose ndoshta sepse në vuajtje nuk kemi nevojë të shtiremi. Mund të jemi vetvetja, pa presionin për të buzëqeshur apo për të dukur “në rregull”. Në një mënyrë të çuditshme, dhimbja është bërë një vend i sigurt, një hapësirë ku ndiejmë se na kuptojnë.
Megjithatë, kjo qasje është problematike. Sepse, përveç se dëmtojmë veten, shpesh dëmtojmë edhe të tjerët rreth nesh. Çdo individ ka një ndikim në shoqëri, dhe ajo që ndjejmë dhe përçojmë nuk mbetet vetëm brenda nesh. Shoqëria ndërtohet prej nesh – njësoj si një shkollë nuk ka kuptim pa nxënës, as shoqëria nuk mund të ekzistojë pa njerëz. Energjia, qëndrimi dhe prania jonë ndikojnë te të gjithë ata që na rrethojnë.
Ndoshta ka ardhur momenti të rikthejmë ato ndjenja të thjeshta dhe të pastra që kemi njohur në fëmijëri – kur ishim në paqe me veten, me të tjerët dhe me vendin tonë në botë. Të përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri ku vlerësohet shërimi, ndjeshmëria dhe mirëqenia emocionale, jo vetëm si reagim pas vuajtjes, por si standard i jetës së përditshme. Sepse askush nuk ka nevojë të vuajë për t’u ndjerë i gjallë apo i vërtetë – dhe secili prej nesh e meriton të ndihet mirë, thjesht për faktin se është njeri.