Shkup, 24 Maj 2025 pritet të mirëpresë ekspozitën kulturore “Muzeu i Dëgjimit”📍 Cowork 21 | Ora 19:00

Në një epokë ku gjithçka po digjitalizohet me ritme të shpejta, një ngjarje kulturore e veçantë pritet të zhvillohet më 24 maj 2025Cowork 21, Shkup. Ekspozita me titullin “Muzeu i Dëgjimit”, nën autorësinë e Mr. Dr. Bekim Fera, synon të sjellë një retrospektivë të pasur të muzikës shqiptare dhe figurave që ndikuan në zhvillimin e saj.

Pjesë e programit do të jetë promovimi i monografisë dhe albumit muzikor “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”, një vepër e përkushtuar ndaj trashëgimisë së jashtëzakonshme të Qamil Muhaxhirit – i njohur në popull si Qamili i Vogël (1923–1991), një ndër zërat më të rëndësishëm të muzikës tradicionale shqiptare nga Gjakova.

Ngjarja do të përfshijë diskutime nga emra të njohur të jetës akademike dhe kulturore, përfshirë:

  • Prof. Mr. Blerim Grubi
  • Doc. Mr. Agona Çupi
  • Prof. Dr. Vjollcë Berisha
  • Prof. Dr. Arlind Farizi
  • Mr. Ariton Rama

Autori i monografisë Prof. Ass. Dr. Krenar Doli, së bashku me bashkëpunëtorin Ma.Sc. Bestar Vula, do të ndajnë me publikun procesin e realizimit të kësaj vepre, si dhe rëndësinë që ka dokumentimi i artistëve të hershëm për trashëgiminë sonë kulturore.

Për herë të parë në Shkup, do të performojë edhe Grupi Muzikor “Rilindja”, i përbërë nga pesë të rinj të talentuar të moshës 14 deri 22 vjeç:

  • Edri Stavileci – Mandolinë, vokal
  • Ari Juniku – Fizarmonikë, vokal
  • Olsi Gjoshi – Violinë
  • Ilir Qorri – Kitarë
  • Modest Zeka – Def, vokal

Përmes repertorit tradicional dhe interpretimit me dashuri e përkushtim, ata do të sjellin frymën e gjallë të muzikës popullore shqiptare, duke dëshmuar se kjo trashëgimi vazhdon të jetojë përmes brezave të rinj.

Eventi zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe premton të jetë një mbrëmje e paharrueshme për të gjithë dashamirësit e artit dhe muzikës tradicionale.

🎶 “Asgjë më shumë se tingulli i një melodie nuk zgjon ndjenjat që menduam se i kemi harruar dhe asgjë më tepër se një këngë e vjetër nuk na kthen në kohën e shkuar.”