Shpeshherë dëgjojmë fjalë të ashpra, kritika dhe përçmime për qytetin tonë – Shkupin, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Është e vërtetë që Shkupi përballet me shumë sfida. Por a ka ndonjë kryeqytet që nuk ka? Nuk ekziston qytet perfekt, dhe kjo është një e vërtetë universale.
Ky tekst nuk ka për qëllim të arsyetojë të metat, por të kërkojë mirëkuptim. Sepse problemi nuk është vetëm te qyteti, por në mënyrën si e kemi ndërtuar sistemin përreth tij. Prej vitesh, politika shtetërore ka ndikuar drejtpërdrejt në përqendrimin e institucioneve më të rëndësishme – universiteteve, spitaleve dhe administratës – vetëm në Shkup. Ky përqendrim ka sjellë pasoja afatgjata që ende po i ndiejmë sot.

Shkupi është një qytet multietnik dhe shumëngjyrësh – dhe jo vetëm për nga përkatësia etnike, por edhe për origjinën gjeografike të banorëve të tij. Sot, shumë prej qytetarëve të Shkupit vijnë nga Tetova, Gostivari, Ohri, Struga, Manastiri, Strumica, dhe qytete të tjera.
Arsyeja? Sepse mundësitë janë këtu.
Nëse një familje nga Struga përballet me një rast urgjent shëndetësor, shpesh e vetmja zgjidhje është udhëtimi disa orë deri në Shkup.
E njëjta vlen për studentët që vijnë këtu për të studiuar, por më pas zgjedhin të mos kthehen më në qytetet e tyre, sepse punët dhe mundësitë janë vetëm këtu.
Dhe këtu nis një krizë tjetër: infrastruktura urbane e Shkupit nuk është projektuar për këtë numër të madh njerëzish. Qyteti po rritet, por planifikimi po mbetet prapa.
Por problemi më i madh nuk është betoni, trafiku apo numrat – është perceptimi.
Shpesh ndodh që individë që janë vendosur në Shkup flasin me përçmim për qytetin. Kjo është jo vetëm mosmirënjohje, por edhe mungesë ndjeshmërie. Sepse kur ofendon qytetin ku jeton – edhe përkohësisht – ti po ofendon ata që janë rritur këtu, që kanë kontribuar për këtë vend, që ndihen pjesë e tij.
Nga ana tjetër, ndodh që edhe disa qytetarë të vjetër të Shkupit të sillen me përbuzje ndaj të ardhurve, duke krijuar një ndasi të panevojshme sociale. Kjo nuk është fytyra e vërtetë e Shkupit.
Shkupi është dhe ka qenë gjithmonë mikpritës. Për shqiptarë, maqedonas, turq, romë – për këdo që vjen me respekt dhe me dëshirën për të qenë pjesë e një komuniteti. Kjo mikpritje është vlerë, por nuk duhet keqpërdorur.
Sepse qyteti nuk është vetëm rrugë, ndërtesa dhe dritare. Qyteti është frymë. Qyteti është kulturë. Dhe në fund të ditës, qyteti jemi ne.