Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka hapur konkursin për ndarjen e 1.500 bursave për nxënësit që janë regjistruar në paralele duale profesionale në shkollat publike të mesme për vitin shkollor 2025/2026.
Ky program synon të përkrahë të rinjtë që kanë zgjedhur arsimin profesional me më shumë orë praktike, duke i përgatitur më mirë për tregun e punës dhe profesionet moderne.
- Bursat do të ndahen në disa drejtime, përfshirë makineri, elektroteknikë, ekonomi, shëndetësi, turizëm, ndërtimtari, tekstil, transport, bujqësi, shërbime personale dhe të tjera.
Në total, mbi 1.500 nxënës do të kenë mundësinë të përfitojnë nga kjo mbështetje financiare e cila kap shumën prej 3.500 denarësh në muaj, për një periudhë prej nëntë muajsh gjatë vitit shkollor.
Për t’u kualifikuar për bursë, kandidatët duhet:

- të jenë nxënës të rregullt në shkollat publike profesionale,
- të kenë mesatare mbi 3.00,
- të mos kenë përsëritur vit,
- të mos përfitojnë bursa nga institucione të tjera,
- dhe të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

- Aplikimi zhvillohet vetëm online në platformën zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe do të jetë i hapur nga 1 deri më 15 tetor 2025.
Kandidatët duhet të ngarkojnë dokumentet përkatëse si vërtetim nga shkolla, dëftesa, deklarata nga prindërit dhe numrin e llogarisë bankare të nxënësit.Lista përfundimtare e fituesve do të publikohet në platformën e shërbimeve elektronike të MASH-it më së voni më 1 dhjetor 2025.
Në rast se për një drejtim profesional nuk plotësohet kuota, bursat e mbetura do të shpërndahen në drejtimet ku ka më shumë kërkesë.
Gjithashtu, për të nxitur barazinë gjinore, nëse numri i vajzave aplikante është nën 40%, ato që i plotësojnë kushtet do të marrin pikë shtesë në vlerësim.Në rast të barazimit të pikëve, përparësi do të kenë nxënësit e vitit më të lartë.
Kandidatët që nuk janë të kënaqur me rezultatet do të kenë mundësi të ankohen pranë Komisionit Shtetëror në përputhje me rregulloret ligjore.
Ky konkurs paraqet një mundësi të vlefshme për të gjithë nxënësit që kanë zgjedhur arsimin profesional si rrugë drejt karrierës së tyre. Përmes sistemit dual të arsimit, nxënësit do të kenë mundësi të përfitojnë eksperiencë praktike, mbështetje financiare dhe motivim për të ndërtuar të ardhmen e tyre profesionale në vend.





