Shkolla “Petar Zdravkovski Penko” gjendet në territorin e Komunës së Butelit. Megjithatë, shumë më pranë shkollës janë fëmijët nga Komuna e Çairit, të cilët nga objekti shkollor i ndan vetëm një rrugë. Pavarësisht afërsisë, sipas prindërve, atyre nuk po u lejohet regjistrimi në këtë shkollë, me arsyetimin se nuk janë banorë të Komunës së Butelit.
Kjo situatë ka shkaktuar reagimin e prindërve.

Nga autoritetet komunale thonë se çështja nuk mund të shihet vetëm përmes kufirit administrativ ndërmjet dy komunave, Butelit dhe Çairit, dhe as vetëm përmes faktit se bëhet fjalë për 18 nxënës.
“Sektori për Arsim në Komunën e Butelit nuk ka marrë asnjë vendim për mbylljen e paraleles në fjalë. Fakti që një paralele ka 18 nxënës nuk nënkupton automatikisht se ajo duhet të mbyllet. Ka shumë banorë që jetojnë në territorin e komunës sonë, por ende nuk i kanë ndryshuar adresat nga vendbanimet prej nga kanë ardhur dhe, në aspektin juridik, nuk figurojnë si banorë të Butelit”, sqarojnë nga Komuna e Butelit.
Sipas Ligjit për arsimin fillor, një paralele e rregullt duhet të ketë nga 20 deri në 30 nxënës. Megjithatë, ligji lejon që paralelja të formohet edhe me më pak nxënës, nëse sigurohet pëlqimi përkatës dhe mendimi pozitiv nga institucionet kompetente.
Nga Ministria e Arsimit presin që institucionet përgjegjëse për rajonizimin dhe organizimin e shkollave të dorëzojnë të gjitha të dhënat dhe informacionet relevante. Pas kësaj, Ministria do të veprojë në përputhje me kompetencat që i përcakton ligji.
“Jemi të gatshëm që, në koordinim me Komunën e Butelit, Komunën e Çairit, shkollat dhe prindërit, t’i analizojmë të dhënat dhe të gjendet një zgjidhje ligjore dhe e qëndrueshme, e cila do t’u mundësojë nxënësve ta vazhdojnë pa pengesa arsimin fillor në gjuhën amtare, në të cilën kanë të drejtë të arsimohen. Në këtë rast duhet të përcaktohen të gjitha faktet relevante, veçanërisht zona shkollore së cilës u përkasin nxënësit, gjuha në të cilën ndjekin mësimin, mundësia që arsimin në gjuhën shqipe ta ndjekin në shkollën e tyre amë, si dhe nëse janë përmbushur kushtet ligjore që paralelja të vazhdojë me më pak se 20 nxënës”, deklarojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Shkolla Fillore “Penko” ka mbi 1,700 nxënës, ndërsa rreth 90 për qind e tyre janë shqiptarë.
Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se shqiptarët përbëjnë shumicën e nxënësve edhe në nivel të Komunës së Butelit. Nga gjithsej 5,276 nxënës, 2,971 janë shqiptarë, ose mbi 56 për qind.