“Kush ja ka pa hajrin shkollës?”
Kjo është ndoshta njëra prej pyetjeve ma të shpeshta që e kemi dëgju prej njerëzve tanë. Prej prindërve, prej axhallarëve, prej dajallarëve, prej njerëzve në kafe, prej dikujt që ka punu krejt jetën pa fakultet, po edhe prej dikujt që e ka kry fakultetin e sot mezi e gjen një punë që lidhet me atë që ka mësu. Është një pyetje që zakonisht thuhet si shaka, po sa ma shumë po mendoj për të, aq ma pak më duket si e till.
Sepse kur një shoqëri për vite të tëra ia përsërit të riut se shkolla nuk të garanton asgjë, është pak e çuditshme me u habitë kur i riu fillon me e besu. PISA na e solli edhe një herë këtë realitet përpara fytyrës. Rezultatet e nxënësve nga Maqedonia e Veriut janë shumë të dobëta, sidomos në lexim, matematikë dhe shkenca. Në lexim, vetëm rreth një e katërta e nxënësve e kanë arritë nivelin bazë të përcaktuar nga PISA. Dhe çka bëmë? U çuditëm, u nervozuam dhe filluam me fol për nxënësit. “Rinia nuk lexon.” “Rinia nuk mëson.” “Rinia është dembele.” “Gjenerata e re nuk di asgjë.” E ndoshta këtu po e humbim krejt pikën.
Unë jam 20 vjeç. Nuk jam profesor, nuk jam prind dhe nuk po e shikoj rininë prej larg. Jam vetë aty, mes tyre. Kam qenë nxënës, jam student, punoj me të rinj dhe e shoh çdo ditë se si mendojnë, çka i motivon dhe çka i largon. Prandaj as nuk dua me ra në atë narrativën e lehtë se “rinia është viktimë e sistemit”. Jo. Ka të rinj që nuk duan me mësu. Ka dembelizëm, ka mungesë interesi dhe ka raste kur vetë nxënësi duhet me marrë përgjegjësi. Po a është kjo krejt historia? Nuk besoj.
Sepse kur një 15-vjeçar hyn në një klasë me dhënë një test të PISA-s, duhet me ia bo një pyetje shumë të thjeshtë vetes: çka ka me fitu nëse mundohet? Nota nuk i ndryshon, viti shkollor nuk i mvaret prej atij testi, universiteti nuk e pret atë rezultat dhe prindi ndoshta as nuk e pyet sa pikë i ka marrë. Atëherë pse duhet me u shqetësu? Ne shpesh presim prej një 15-vjeçari me pas një përgjegjësi që nuk e kanë as shumë të rritur. I themi “duhet me mendu për të ardhmen”, po pastaj i riu e sheh përreth vetes dhe pyet: “Cilën të ardhme?”
E sheh dikë me diplomë që punon diçka krejt tjetër. E sheh dikë pa arsim që ka biznes. E sheh dikë që ka studiu vite të tëra, por për një punë i duhet dikush që “e njeh”. E sheh dikë tjetër që ka gjetë një rrugë ma të shkurtë dhe të gjithë i thonë “hallall, paska ditë mekry punw”. Dhe pastaj i themi atij fëmije: “Shkolla është e ardhmja.
” Kush ja ka pa hajrin shkollës?
Kjo është pjesa ku mendoj se duhet me qenë pak të sinqertë me veten. Ne nuk kemi kriju një kulturë ku dija është gjithmonë e vlefshme. Kemi kriju një kulturë ku nota është e vlefshme. “Cka more?” është pyetja që e dëgjon fëmija prej fillimit. Shumë ma rrallë “a e kuptove?”, “çka mendon për këtë?” ose “a të interesoi?”. Fëmija mëson me e kalu testin, me mësu përmendësh, me e harru pas dy ditësh, me marrë notw kaluse e me vazhdu. E pastaj presim që i njëjti fëmijë, disa vite më vonë, të jetë mendimtar kritik, të lexojë, të analizojë lajme, të dallojë propagandën, të kuptojë një tekst të komplikuar dhe të marrë vendime të mira. Po kur ia kemi mësu këto?

Këtu PISA bëhet shumë ma interesante. Sepse kur dëgjojmë se tre të katërtat e nxënësve nuk e ka. PISA nuk thotë se tre në katër fëmijë nuk dinë me lexu. Ajo mat një nivel të caktuar të aftësisë për me kuptu, interpretu dhe përdorë atë që e lexon. Dhe për mu, kjo është edhe ma shqetësuese, sepse pyetja nuk është vetëm a dinë me lexu. Pyetja është: a dinë me kuptu çka kanë lexu? A dinë me e pyet një informacion? A dinë me dallu një fakt prej një manipulimi? A dinë me pas mendim të tyne? A dinë me thanë “nuk pajtohem” dhe me tregu pse?
Sepse mundesh me ditë me lexu një paragraf dhe prapë mos me kuptu asgjë prej tij. Dhe kjo nuk është problem vetëm i Gen Z-së. Kjo është ajo pjesa që më pengon ma së shumti kur flasim për PISA. Po sillemi sikur analfabetizmi, mungesa e leximit dhe mungesa e mendimit kritik kanë lindë bashkë me TikTok-un. Sikur para nesh të gjithë kanë lexu Dostojevskin në mbrëmje dhe kanë diskutu për filozofinë e Kantit në mëngjes. Jo. Nëse sot kemi të rinj që kanë probleme me lexim, shkrim, mendim kritik apo koncentrim, nuk mundemi me u sjellë sikur kjo ka ardhë prej askund.
Këta janë fëmijët që i kemi rritë na. Janë nxënësit që kanë kaluar nëpër shkollat tona, janë edukuar prej profesorëve tanë, janë rritë prej prindërve tanë dhe kanë jetu në të njëjtën shoqëri ku kemi jetu edhe na. Prandaj, kur themi “çka u bë me rininë?”, ndoshta duhet me e vazhdu pyetjen. Kush e mësoi? Kush e edukoi? Kush ju tregoi se dija ka vlerë? Kush ia tregoi të kundërtën? Sepse është shumë lehtë me e gjyku një 15-vjeçar. Është shumë ma vështirë me e pyet veten si prind, si profesor, si institucion, si shoqëri: çfarë shembulli i kemi dhënë?
Edhe unë nuk du me e romantizu rininë. Nuk mendoj që çdo i ri është viktimë e sistemit. Ka të rinj që nuk duan me mësu, ka të rinj që nuk lexojnë dhe ka të rinj që nuk interesohen. Po nëse një sistem prodhon të njëjtin problem përsëri e përsëri, ndoshta problemi nuk është vetëm te individi. Ndoshta duhet me shiku sistemin. Dhe mentalitetin. Sepse mentaliteti fillon shumë ma herët se një provim. Fillon në shtëpi kur fëmija pyetet për notën para se të pyetet për çka ka mësu. Fillon në shkollë kur nxënësi ka frikë me bo pyetje se mos profesori e sheh si të paditur. Fillon kur një fëmijë që lexon shumë quhet “budall që merret me libra”, ndërsa ai që din me gjetë një mënyrë me i ikë rregullit quhet “i mençëm”. Fillon kur i themi dikujt “merre diplomën, se kurrë si dihet”, sikur diploma të jetë një biletë që duhet vetëm me e pas në sirtar.
E pastaj prapë: kush ja ka pa hajrin shkollës?
Ndoshta problemi ma i madh nuk është që të rinjtë nuk po e marrin shkollën seriozisht. Ndoshta problemi është që ata po e kuptojnë shumë herët se sa pak vlere ka shkollimi pwr shoqërin. Dhe kjo është pjesa ku unë, si një plak 20-vjeçar, nuk mundem me qenë as krejt në anën e të rinjve e as krejt në anën e të rriturve. Sepse i kuptoj të dyja palët. E kuptoj frustrimin e një profesori që hyn në klasë dhe sheh nxënës që nuk e kanë vullnetin me mësu. Po e kuptoj edhe nxënësin që për vite të tëra i është thënë “mëso”, ndërkohë që nuk i është tregu pse.
Kjo është ura ku mendoj se duhet me qëndru. Jo me e fajësu rininë, po as me e shfajësu krejt. Jo me e fajësu vetëm sistemin, po as me e mbrojtë atë. Duhet me e pranu që të dyja janë pjesë e së njëjtës histori. Sepse nxënësi është produkt i shoqërisë, po njëkohësisht edhe shoqëria e së nesërmes është produkt i atij nxënësi.
Prandaj PISA nuk duhet me qenë vetëm një lajm për ministrin, as vetëm një arsye me i kritiku profesorët, e as një mundësi tjetër me thanë “rinia sot është katastrofë”. Duhet me qenë një moment ku ndalemi pak dhe e bëjmë pyetjen që ndoshta na pengon ma shumë se vetë rezultatet: pse nuk po ju intereson?
Sepse një fëmijë që nuk di është problem. Por një shoqëri që e ka bindë fëmijën se dija nuk i duhet, është problem shumë ma i madh.
“Kush ja ka pa hajrin shkollës?”
E përgjigjja nuk është që shkolla nuk ka hajr. Problemi është që ne ia kemi harru hajrin.
E nëse duam një gjeneratë që mendon ndryshe, duhet me ia dhënë një arsye me mendu. Jo veç pwr notë, jo pwr një diplomë, jo pwr një vend pune, po një arsye me qenë kurioz, me lexu, me pyetë, me kundërshtu dhe me kërku ma shumë.
Sepse në fund, shkolla nuk duhet me na mësu vetëm si me dhënë përgjigje. Duhet me na mësu pse duhet me pas pyetje.
Dhe ndoshta, para se me e pyet rininë “kush ja ka pa hajrin shkollës?”, duhet me ia bo atë pyetje vetes.