Dje u përkujtua ditëlindja e një prej simboleve kryesore të humanizmit dhe një ndër figurat më të njohura shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, më mirë e njohur si Nënë Tereza.
Në Shkup, me rastin e ditëlindjes së Bojaxhiut, u mbajtën disa aktivitete. Aktiviteti i parë filloi në orët e mëngjesit, ku përfaqësuesit institucionalë bënë homazhe dhe vendosën lule pranë pllakës përkujtimore të saj.

Përveç homazheve, aktiviteti qendror u mbajt në Muzeun e Artit Bashkëkohor, ku u promovua libri “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, me autorë Albert Ramaj dhe Skender Asani. Nënë Tereza, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ia kushtoi jetën shërbimit ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve të braktisur. Në vitin 1950, ajo themeloi Misionaret e Bamirësisë në Kalkutë, duke krijuar një rrjet institucionesh humanitare që u shtri në shumë vende të botës. Në vitin 1979, ajo mori Çmimin Nobel për Paqe.