Imagjinoni një shoqëri ku një i ri nuk dyshon, nuk pyet dhe rrjedhimisht nuk mendon. Se pse do të mendojë, kur gjithçka i është ofruar në tavolinë? Dhe disi, çdo i ri që e pranon tavolinën ashtu siç është, me bukë ose me mish, me fruta ose ëmbëlsirë, me mbulesë apo pa të, me karrige apo edhe ashtu në këmbë, është i mirëseardhur përderisa nuk pyet pse është kjo tavolinë, si erdha unë deri te kjo tavolinë dhe çka në të vërtetë përmban ajo.
E kur një i ri fillon të pyesë për tavolinën, ose të ankohet për diçka rreth saj, herët e para pritet me ato fjalë të hidhura e të shëmtuara që i kemi dëgjuar aq shumë: mos u bëj jo falënderues, mos pyet, mos kërko, je i lumtur që ke diçka para vetes. Dhe kur i riu vazhdon të pyesë, ai fillon të shihet si delja e zezë, si një person i izoluar që vetëm probleme do të sjellë për tavolinën.
Ndoshta sepse është më e lehtë ta bindësh dikë që të jetë mirënjohës për atë që ka, sesa t’i tregosh pse e ka atë që ka.
Kështu, për atë tavolinë misterioze, që askush nuk e di tamam se çka është, kush e ka vendosur aty dhe pse është pikërisht ashtu siç është, kalojnë vitet. Tavolina vazhdon të qëndrojë aty dhe ne vazhdojmë të ulemi rreth saj. Ushqimi ndryshon, mbulesa ndryshon, njerëzit ndryshojnë, por një gjë mbetet pothuajse e njëjtë: pyetja vazhdon të shihet si problem.
Deri sa një ditë prej ditësh, ajo tavolinë aq misterioze dhe aq e shenjtë mbetet e zbrazët. Jo prej mungesës së ushqimit, jo prej mungesës së kujdesit, por prej mungesës së njerëzve. Dhe atëherë do të pyesim ku janë njerëzit, pse tavolina është e zbrazët dhe pse ata që dikur ishin ulur rreth saj nuk janë më aty. Përgjigjja mund të jetë shumë më e hidhur sesa që kemi menduar. Ndoshta do të jemi të gjithë jashtë e larg saj, të ulur në ndonjë tavolinë më të vogël, ndoshta të zbrazët e ndoshta edhe të thyer.
E gjitha kjo sepse kur të rinjtë pyetën çka, si dhe pse, nuk ua treguam. U sollëm sikur ajo tavolinë të ishte diçka hyjnore dhe sikur ata të mos ishin në nivel për të ditur çka ka mbi të. Sikur dituria të ishte problematike dhe sikur pyetja të ishte një lloj mosrespekti. Sikur një i ri që dyshon, automatikisht është një i ri që nuk di të vlerësojë.

Dhe kështu vazhdojmë të rrisim njerëz që ushqehen prej të panjohurës dhe padijes, ndërsa ata që edukohen, që pranojnë diturinë dhe, më e veçanta, ata që pyesin, shpesh i izolojmë me një nënqeshje tallëse. Filozofi, dyshuesi, rebeli, ai që “e bën shumë të madhe”, e bile bile edhe shpiuni. Fjalë të ndryshme për të njëjtin mëkat: guxoi të pyeste.
Por për një shoqëri të mirëfilltë, ndoshta ka vetëm një gjë më të shenjtë se pyetja, e ajo është përgjigjja. Jo përgjigjja që na konvenon, jo ajo që e mbron tavolinën dhe ata që kanë vendosur çka do të ketë mbi të, por përgjigjja që jepet edhe kur nuk është e këndshme. Sepse një shoqëri që nuk ka frikë prej pyetjes nuk ka nevojë të frikësohet as prej përgjigjes.
Në fund të fundit, as shteti, as shoqëria, as institucionet, madje as vetë tavolina nuk kanë kuptim pa njerëzit. Të mirë apo të këqij, rebelë apo hipokritë, të heshtur apo të zëshëm, ata janë ata që i japin kuptim gjithçkaje që ndërtojmë. Dhe mënyra se si ata rriten e zhvillohen nuk varet vetëm prej asaj se çka u vendosim përpara, por edhe prej asaj se a i lejojmë të pyesin se pse është aty.
Sepse ndoshta një ditë nuk do të kemi nevojë të pyesim pse tavolina është e zbrazët. Ndoshta pyetja që duhet ta bëjmë sot është shumë më e thjeshtë: a po ndërtojmë një tavolinë ku të rinjtë kanë vetëm një vend për t’u ulur, apo një tavolinë ku ata kanë edhe të drejtën të pyesin kush e ka ndërtuar, çka ka mbi të dhe, nëse nuk u pëlqen, a mund ta ndërtojnë një tavolinë më të mirë?
Sepse nëse një shoqëri e sheh pyetjen si kërcënim, një ditë nuk do të ketë më njerëz që pyesin rreth tavolinës.
Do të ketë vetëm njerëz që janë larguar prej saj.